Kosova

Laboratori i Toksikologjisë në IML jashtë funksionit deri në shtator, mostrat po dërgohen jashtë vendit

Instituti i Mjekësisë Ligjore (IML) ka bërë të ditur se Laboratori i Toksikologjisë aktualisht është jashtë funksionit për shkak të renovimeve të brendshme që po zhvillohen në të gjitha hapësirat e objektit.

Sipas njoftimit, pritet që laboratori të kthehet në funksion në muajin shtator, kur të përfundojë edhe procesi i servisimit dhe kalibrimit të aparaturave.

“Menjëherë pas përfundimit të këtij procesi në shtator do të bëhet servisimi dhe kalibrimi i pajisjeve dhe aparaturave laboratorike, në mënyrë që të sigurohet analizimi i mostrave sipas standardeve të kërkuara. Duke marrë parasysh natyrën jashtëzakonisht të ndjeshme të pajisjeve, si dhe kompleksitetin teknik të sistemit të gazrave i cili përdoret në këtë laborator, zhvendosja e tyre në një hapësirë tjetër gjatë kësaj periudhe ka qenë e pamundur”, thuhet në deklaratën e IML-së.

Gjatë kësaj periudhe të mosfunksionimit, me urdhëresë të prokurorëve përkatës, një numër i caktuar mostrash janë dërguar dhe do të vazhdojnë të dërgohen për analizim toksikologjik në vende të rajonit dhe të Evropës.

Ky njoftim vjen në kohën kur pritet që IML të japë sqarime lidhur me rastin e vdekjes së 27-vjeçarit nga Lipjani, Agon Zejnullahu, i cili ndërroi jetë gjatë një ndërhyrjeje policore ku ishin të përfshirë pesë zyrtarë.

Ditë më parë, për këtë rast ka folur mjeku Flamur Dylhasi nga IML, i cili kreu autopsinë, por nuk dha detaje për shkakun e vdekjes, duke theksuar se komunikon vetëm me organet e drejtësisë.

Ndërkohë, përmes një postimi në Facebook, IML ka konfirmuar se autopsia për Zejnullahun është kryer dhe ka hedhur poshtë raportimet se ka dalë raporti preliminar për këtë rast.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button