Familja e Liridona Ademajt e mirëpret raportin e Forenzikës për Naim Murselin: Kërkojmë drejtësi të shpejtë dhe vendimtare

Familja e Liridona Ademajt ka reaguar pas publikimit të raportit të Institutit të Psikiatrisë Forenzike lidhur me gjendjen mendore të të akuzuarit për vrasjen e saj, Naim Murselit. Sipas këtij raporti, Murseli nuk vuan nga asnjë çrregullim apo sëmundje mendore.
Ky konstatim është mirëpritur nga familjarët e viktimës, të cilët kërkojnë që procesi gjyqësor të përfundojë sa më shpejt dhe drejtësia të vihet në vend pa vonesa të panevojshme.
“Ne si familje e mirëpresim raportin e Forenzikës në lidhje me rastin e vrasjes së Liridonës tonë dhe shpresojmë që gjykata do të vazhdojë të procedojë shpejtë me rastin, ashtu siç ka bërë deri më tani. Ne duam drejtësi të shpejtë, profesionale, pa gabime dhe vendosmëri nga ana e gjykatës që të mos lejojë që ky rast të zvarritet me vite,” ka deklaruar vëllai i të ndjerës, Leonard Ademaj.
Seanca e radhës në gjykimin për vrasjen e Liridona Ademajt do të mbahet të hënën, më 14 korrik, në ora 09:00.