LDK mirëpret hetimet për tenderët njëburimor: “Qeveria po bëhet simbol i korrupsionit”

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Jehona Lushaku-Sadriu, ka deklaruar se partia e saj mirëpret çdo hetim për të sqaruar procedurat e tenderëve njëburimor, duke akuzuar Qeverinë aktuale për veprime në kundërshtim me parimet kushtetuese dhe interesin publik.
Para nisjes së seancës konstituive të Kuvendit, ajo u shpreh se është e papranueshme që një parti politike që erdhi në pushtet me kauzën e luftës kundër korrupsionit, sot të jetë shndërruar – sipas saj – në simbol të këtij fenomeni.
“Të gjithë ata që i kanë uzurpuar zyrat e Qeverisë bartin përgjegjësi për vendimet që po merren në mënyrë jo-kushtetuese. Aq më tepër për procedurat e prokurimit dhe të tjera, ku nënshkrimet e tyre po shfrytëzohen për zgjedhje që dëmtojnë buxhetin e Kosovës”, tha Lushaku-Sadriu.
Ajo shtoi se proceset që më herët ishin kritikuar nga kjo qeveri, sot po aplikohen në mënyrë të përshpejtuar, duke ngritur dyshime serioze për abuzim me pushtetin dhe fondet publike.