Shoqëria civile me aksion simbolik kundër bllokadës institucionale: “Konkurs për deputetë të rinj”

Në prag të përpjekjes së 45-të për konstituimin e Kuvendit të ri, shoqëria civile ka reaguar sërish përmes një aksioni simbolik për të kundërshtuar bllokadën institucionale që po zvarritet tash e disa muaj.
Në rrugët pranë ndërtesës së Kuvendit u shpërndanë fletushka me mesazhe ironike dhe kritike ndaj deputetëve të zgjedhur, të cilët nuk po arrijnë të bien dakord për formimin e institucioneve.
Disa nga mbishkrimet që tërhoqën vëmendjen e qytetarëve ishin: “Konkurs për deputetë të rinj” dhe “Po i mbani peng 882 milionë euro të Planit të Rritjes të BE-së” – një referencë e drejtpërdrejtë ndaj bllokimit të mjeteve që Bashkimi Evropian ka ndarë për Kosovën, por që nuk mund të disbursohen pa institucione funksionale.
Ky aksion vjen si shenjë pakënaqësie nga ana e qytetarëve dhe organizatave të shoqërisë civile, të cilët kanë paralajmëruar se do të vazhdojnë presionin publik për zhbllokimin e situatës politike në vend.
Foto: Kallxo.com