Departamenti i Shtetit: Prosperiteti ekonomik, çelësi për kapërcimin e përçarjeve në Ballkan

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani-Sadriu, është pritur në takim zyrtar nga Zëvendëssekretari i Shtetit të SHBA-së, Christopher Landau, gjatë qëndrimit të saj në Washington D.C.
Lajmi është konfirmuar edhe nga Departamenti i Shtetit, ku zëdhënësja Tammy Bruce bëri të ditur se në fokus të diskutimeve mes Osmanit dhe Landaus ishte bashkëpunimi ekonomik ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
“Zëvendëssekretari i Shtetit Christopher Landau u takua me Presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani-Sadriu. Ata diskutuan fushat e mundshme të bashkëpunimit ekonomik në të ardhmen dhe shprehën besimin se prosperiteti dhe bashkëpunimi ekonomik do të ndihmojnë Ballkanin Perëndimor të lëvizë nga përçarjet e së kaluarës dhe do të promovojnë paqe dhe stabilitet të qëndrueshëm në rajon,” tha Bruce.
Presidentja Osmani, përmes një postimi në Facebook, falënderoi Landaun për “mikpritjen e ngrohtë dhe diskutimin e hapur”, duke theksuar se Kosova mbetet e përkushtuar ndaj forcimit të partneritetit me SHBA-në.
“Kosova qëndron krah për krah me Shtetet e Bashkuara për të ndërtuar kapituj të rinj të bashkëpunimit strategjik, në përputhje me vizionin e fortë të Presidentit Trump. Më shumë siguri. Më shumë zhvillim. Më shumë mundësi për qytetarët tanë dhe bizneset tona,” u shpreh Osmani.
Ky takim vjen në një kohë kur autoritetet e Kosovës po kërkojnë thellimin e marrëdhënieve me aleatët kryesorë ndërkombëtarë, me theks të veçantë në bashkëpunimin ekonomik dhe stabilitetin rajonal.