Prokuroria Speciale nis hetime për kontratën e ndërtimit të urave mbi Ibër – reagimi i VV-së: U aktivizua pasi dështoi peticioni i Listës Serbe

Prokuroria Speciale e Kosovës ka nisur një hetim lidhur me ligjshmërinë e kontratës për ndërtimin e dy urave të reja mbi lumin Ibër në Mitrovicë, të iniciuar nga Qeveria në detyrë. Sipas Prokurorisë, hetimi nuk ka të bëjë me kundërshtimin e ndërtimit të urave, por me përmbushjen e detyrimeve ligjore që lidhen me këtë kontratë.
Këtë veprim të Prokurorisë e ka komentuar deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Arber Rexhaj, duke e lidhur atë me dështimin e peticionit të Listës Serbe kundër ndërtimit të këtyre urave.
“Pasi nuk pati sukses peticioni i Listës Serbe, u aktivizua Prokuroria Speciale në Prishtinë. Kur të ndërtohen ura duhet të vendoset diku një pllakatë ku thuhet se kundër ndërtimit tyre ishin edhe disa individë në Prishtinë”, ka shkruar Rexhaj në një reagim publik.
Ndërtimi i urave në Mitrovicë është parë si projekt me rëndësi infrastrukturore dhe simbolike për qytetin e ndarë, ndërsa hetimi tashmë i nisur mund të sjellë zhvillime të reja rreth mënyrës se si është menaxhuar procesi i kontraktimit të këtij projekti.