Maliqi: Mediat dhe OJQ-të kanë nevojë për financim publik të pavarur nga qeveria

Njohësi i çështjeve politike, Agon Maliqi, ka theksuar rëndësinë që kanë mediat dhe organizatat joqeveritare (OJQ) në shoqëri, duke u shprehur se ato kryejnë punë me interes publik dhe për këtë arsye kanë nevojë për mbështetje financiare nga fondet publike.
Në një postim të bërë në rrjete sociale, Maliqi ka thënë se pa kontributin e mediave dhe OJQ-ve, nuk do të kishte festivale kulturore, as raportime mbi abuzimet me pushtetin.
Megjithatë, ai ka ngritur shqetësimin se pushtetet e deritanishme kanë vepruar në mënyrë arbitrare kur ka ardhur puna te mbështetja financiare ndaj këtyre sektorëve, duke e përdorur si mjet për të blerë heshtjen apo për t’i kthyer ato në instrumente politike.
“Për këtë arsye duhet të gjindet një mënyrë e shkëputjes së kontrollit qeveritar, qoftë në nivel qendror apo komunal, mbi financimin publik të veprimtarisë së OJQ-ve dhe mediave”, ka shkruar Maliqi.
Si zgjidhje, ai ka propozuar krijimin e një Fondi të Interesit Publik, i cili do të jetë nën mbikëqyrje të Kuvendit dhe do të përfshijë përfaqësues të të gjitha partive parlamentare, si dhe figura jashtë politikës. Sipas tij, bordi që do të menaxhonte këtë fond duhet të zgjidhet me shumicë prej dy të tretash të Kuvendit dhe të ketë buxhet të pavarur.
Sipas Maliqit, qeveritë dhe komunat mund të hartojnë politika ku shohin rol për OJQ-të dhe të ndajnë buxhet, por nuk duhet të kenë të drejtë për t’i përzgjedhur ato – kjo përgjegjësi, sipas tij, duhet t’i takojë një mekanizmi tërësisht të pavarur nga ekzekutivi.