Kushtetuesja hedh poshtë ankesën e Salih Mustafës për dënimin prej 15 vjetësh burgim

Gjykata Kushtetuese e Dhomave të Specializuara të Kosovës (DhSK) ka hedhur poshtë ankesën e fundit të Salih Mustafës, i cili pretendonte se dënimi prej 15 vjetësh burg për krime lufte ishte në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës. Mustafa kishte kërkuar nga Kushtetuesja të shpallte dënimin joproporcional dhe të papajtueshëm me nenin 33 (3) të Kushtetutës, i cili garanton proporcionalitetin e dënimit me veprën penale.
Në vendimin e datës 9 korrik 2025, Kushtetuesja konstatoi se kërkesa ishte e papranueshme, duke vlerësuar se Mustafa nuk kishte arritur të provojë ndonjë shkelje të të drejtave themelore të garantuara me Kushtetutë.
Mustafa kishte dorëzuar ankesën më 24 prill 2025, duke pretenduar se vendimi i Apelit për dënimin me 15 vjet dhe refuzimi nga Gjykata Supreme për ta rishikuar përbënin shkelje të nenit 33 (3) të Kushtetutës. Mbrojtja e tij kishte kërkuar që Kushtetuesja të interpretonte këtë nen dhe të jepte udhëzime të qarta mbi proporcionalitetin e dënimeve.
Gjykata theksoi se neni 33 (3) i Kushtetutës ndalon dënimet joproporcionale dhe duhet të interpretohet në përputhje me jurisprudencën e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Megjithatë, ajo vuri në dukje se GJEDNJ deri tani nuk ka konstatuar shkelje për shkak të joproporcionalitetit të dënimit me veprën, përveç rasteve ekstreme si dënimi i përjetshëm pa mundësi lirimi.
Në një vendim të mëhershëm të datës 17 prill 2025, Kushtetuesja kishte shqyrtuar një ankesë tjetër të Mustafës lidhur me pretendime për shkelje të nenit 33 (2) dhe (4) të Kushtetutës dhe nenit 7 të Konventës Evropiane, ku ai kundërshtonte përdorimin e Kodit Penal të Kosovës të vitit 2019 në vend të atij të RSFJ-së të vitit 1976, duke pretenduar se ligji i mëvonshëm ishte më i favorshëm. Edhe kjo ankesë u shpall e papranueshme.
Fillimisht, Mustafa ishte dënuar me 26 vjet burg më 16 dhjetor 2022 për krime lufte, përfshirë ndalim arbitrar, torturë dhe vrasje të paligjshme. Pas apelimit, më 14 dhjetor 2023, dënimi i tij u zbrit në 22 vjet burgim, dhe më pas, pas një rikthimi të çështjes nga Supremja, Apeli vendosi më 10 shtator 2024 një dënim përfundimtar prej 15 vjetësh burgim.
Mustafa kishte parashtruar edhe kërkesë për mbrojtje të ligjshmërisë në Gjykatën Supreme më 13 mars 2024, ku kundërshtoi aktgjykimet e mëhershme dhe kërkoi që të shpallej i pafajshëm ose çështja të kthehej për rigjykim. Supremja e kishte pranuar pjesërisht këtë kërkesë dhe e kishte kthyer çështjen tek Apeli, i cili më pas shqiptoi dënimin 15-vjeçar.
Kushtetuesja përmbylli se asnjëra nga gjykatat më të ulëta nuk kishte bërë shkelje të dukshme apo arbitrare që do të cenonin të drejtat e Mustafës, prandaj ankesa e tij u refuzua si e pabazë.