Bota

Dështoi votëbesimi ndaj Ursula von der Leyen, Orban në krye të thirrjeve për largimin e saj

Një votëbesim i organizuar kundër presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka dështuar të sigurojë shumicën e nevojshme të votave në Parlamentin Evropian.

Ky ishte votimi i parë i këtij lloji në më shumë se një dekadë dhe u iniciua nga ligjvënës të ekstremit të djathtë, me mbështetjen e kryeministrit hungarez Viktor Orban, i cili ka qenë një ndër kritikët më të zëshëm të von der Leyenit.

Mocioni përmbante një sërë akuzash, përfshirë komunikime të dyshimta me kreun e Pfizer gjatë pandemisë, keqpërdorim të fondeve të BE-së, si dhe ndërhyrje të supozuara në proceset zgjedhore në Gjermani dhe Rumani.

Përmes një postimi në Facebook përpara votimit, Orban deklaroi se ky ishte “momenti i së vërtetës”: “Në njërën anë do të jetë elita imperialiste e Brukselit, në tjetrën patriotët. Është thelbësore të bëhet një zgjidhje,” tha ai.

Ai i bëri thirrje presidentes së Komisionit Evropian që të dorëhiqet, duke thënë: “Zonja presidente, thelbi i udhëheqjes është përgjegjësia. Është koha të largoheni!”

Von der Leyen ka qenë shpesh në përplasje me Orbanin, për shkak të politikave të tij që, sipas Brukselit, kanë minuar demokracinë në Hungari. Si pasojë, Komisioni Evropian ka ngrirë miliarda euro fonde për Budapestin.

Megjithëse mocioni dështoi, ai solli në vëmendje kritika të reja ndaj presidentes aktuale të Komisionit Evropian, veçanërisht për menaxhimin e çështjeve të pandemisë dhe marrëdhënieve të saj me industrinë farmaceutike. Kritikat prekën gjithashtu edhe Partinë Popullore Evropiane, grupi më i madh politik në Parlamentin Evropian, që vazhdon ta mbështesë von der Leyenin. /REL/

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button