Artan Behrami kërkon respektim të Kushtetutës në seancën konstituive: I drejtohet Albin Kurtit dhe Albulena Haxhiut me tone ironike

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Artan Behrami, ka kërkuar gjatë seancës konstituive të Kuvendit që të respektohet Kushtetuta dhe të kthehet në aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese.
Duke folur nga foltorja e Kuvendit, Behrami ka përdorur tone ironike ndaj përfaqësuesve të Vetëvendosjes, përfshirë kryeministrin në detyrë Albin Kurti dhe deputeten Albulena Haxhiu.
“I nderuar ushtrues i detyrës së kryetarit të Kuvendit, i nderuar ushtrues i detyrës së kryeministrit, ushtrues të detyrës së ministrave, e nderuara ushtruese e përjetshme e kandidates për kryetare të Kuvendit… Respektojeni Kushtetutën”, deklaroi Behrami, duke e cilësuar Haxhiun si “ushtruese të përjetshme”.
Ai kërkoi nga kryesuesi i seancës, Avni Dehari, që të veprojë në përputhje me aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese, duke lënë të kuptohet se po bëhen shkelje procedurale dhe kushtetuese në procesin e konstituimit të institucioneve.