AVONET proteston para Stacionit të Policisë në Lipjan: “Pa drejtësi s’ka qetësi”

Rrjeti i Organizatave Joqeveritare AVONET ka mbajtur sot një performancë simbolike para Stacionit të Policisë në Lipjan, në shenjë proteste dhe kërkese për drejtësi pas vdekjes së 27-vjeçarit Agon Zejnullahu.
Gjatë aksionit, aktivistët ngjitën postera me mesazhe simbolike në hyrje të stacionit dhe objektit të gjykatës. “Komandën e fundit e dha frymën” dhe “Pa drejtësi s’ka qetësi” ishin mesazhet e vendosura nga AVONET për të theksuar domosdoshmërinë e llogaridhënies institucionale dhe mbrojtjes së të drejtave të njeriut.
Organizata ka kërkuar një hetim të plotë, të pavarur dhe të paanshëm për këtë rast, duke theksuar se ngjarja ka tronditur opinionin publik dhe ka ngritur dyshime serioze për shkelje të të drejtave themelore nga ana e zyrtarëve policorë.
Performanca e sotme u zhvillua në të njëjtën kohë me seancën gjyqësore ndaj pesë policëve të përfshirë në këtë rast, që po mbahet në Gjykatën Themelore në Prishtinë – Dega në Lipjan.