Kosova

2 milionë euro për punësimin e komuniteteve joshumicë në gjithë Kosovën

Qeveria në detyrë e Kosovës ka ndarë 2 milionë euro për të mbështetur punësimin e qytetarëve nga komunitetet joshumicë në gjithë territorin e vendit.

Mjetet do të sigurohen nga Pakoja e Ringjalljes Ekonomike dhe do të transferohen te Ministria për Komunitete dhe Kthim, e cila ka kërkuar këtë financim për të zbatuar masën 1.9, që synon rritjen e punësimit në mesin e komuniteteve joshumicë.

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, theksoi se kjo ndihmë është vazhdimësi e përkushtimit të Qeverisë për integrim dhe mirëqenie të barabartë. “Kemi lansuar masën e punësimit, duke subvencionuar deri në 2000 vende pune në sektorin privat për qytetarët që jetojnë në katër komunat veriore. Ndërsa sot po miratojmë ndarjen shtesë prej 2 milionë euro për të mbështetur qytetarët e komuniteteve joshumicë në mbarë vendin,” deklaroi Kurti.

Ndërkohë, ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, tha se Ministria për Komunitete dhe Kthim ka paraqitur një plan të detajuar për masat që do të ndërmerren me këtë buxhet shtesë. “Qëllimi është rritja e punësimit dhe zhvillimit ekonomik në mënyrë të barabartë për të gjithë qytetarët, pavarësisht përkatësisë së tyre etnike,” tha Murati.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Kontrolloni gjithashtu
Close
Back to top button