Lajme

Kukës: Arrest me burg për dy persona të dyshuar për trafik armësh nga Kosova

Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm në Kukës ka vendosur masën e sigurisë “arrest me burg” për dy shtetas nga Prizreni, Shkëlqim Qenaj dhe Avdulla Mallaki, të akuzuar për trafik të armëve nga Kosova në Shqipëri.

Vendimi u dha këtë të hënë, pas kërkesës së prokurorit të çështjes. Dy të dyshuarit u arrestuan të premten, më 4 korrik, në zonën e njohur si “Ura e Hasit”, nga forcat e Policisë së Kukësit.

Sipas hetimeve paraprake, Qenaj dhe Mallaki dyshohet se trafikonin armë përmes kufirit jeshil me qëllim shitjen e tyre në territorin shqiptar. Gjatë kontrollit të automjetit të tyre, policia zbuloi dhe sekuestruar 8 armë zjarri, të fshehura në bagazhin e makinës dhe të vendosura në çanta të ndara.

Dyshohet se armët ishin destinuar për dy persona të tjerë, të cilët arritën të largohen në momentin që vunë re shërbimet e policisë. Identiteti i tyre është ende i paqartë, ndërsa Policia e Kukësit vijon punën për kapjen e tyre.

Ky është rasti i radhës i goditjes së rrjeteve të trafikimit të armëve në kufirin Kosovë-Shqipëri. Më herët, më 30 maj, pas një hetimi pesëmujorsh, policia arrestoi 10 persona të tjerë të përfshirë në veprimtari të ngjashme kriminale.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ilir Proda, ka vlerësuar bashkëpunimin me Policinë e Kosovës si një model suksesi në rajon, veçanërisht në luftën kundër trafikimit të armëve. Ai shprehu mirënjohje për punën e strukturave vendore dhe për qytetarët që, sipas tij, po tregojnë gjithnjë e më shumë besim te institucionet ligjzbatuese.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button