OVL e UÇK-së reagim të ashpër ndaj Kurtit: “Tradhti morale ndaj luftës për liri”

Pak para nisjes së seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës, Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL UÇK) ka reaguar ashpër ndaj deklaratave të ish-kryeministrit Albin Kurti dhe situatës së bllokuar institucionale në vend.
Reagimi vjen pas komenteve të Kurtit, i cili tha se ish-krerët e UÇK-së, Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli – të cilët po gjykohen në Hagë – vazhdojnë të japin direktiva për zhvillimet politike në Kosovë përmes kontakteve me zyrtarë të PDK-së që i vizitojnë në burg.
Kjo deklaratë është cilësuar nga OVL UÇK si “e turpshme, e papërgjegjshme dhe e rrezikshme”. Organizata e ka akuzuar Kurtin për “tradhti morale” ndaj luftës çlirimtare dhe të ardhmes së Kosovës.
“Albin Kurti, në vend që të mbrojë qytetarët e vendit të vet nga padrejtësitë ndërkombëtare, zgjodhi t’u bashkohet akuzave që fabrikohen kundër luftës tonë të shenjtë për liri. Kjo është një tradhti morale ndaj të kaluarës dhe të ardhmes së Kosovës,” thuhet në deklaratën zyrtare të OVL UÇK-së.
Organizata ka paralajmëruar se nuk do të heshtë përballë, siç e cilëson, “zhvillimeve të rrezikshme” që rrezikojnë rendin demokratik dhe vlerat e luftës.
“Ne do të qëndrojmë fuqishëm në mbrojtje të vlerave të luftës, të drejtës së popullit tonë për liri dhe dinjitet, dhe të çdo luftëtari që sot padrejtësisht mbahet larg vendit për të mbajtur gjallë skenarë të turpshëm politikë”, thekson më tej reagimi.
OVL UÇK ka dënuar gjithashtu bllokadën politike në Kuvend, duke e cilësuar si një akt të pajustifikueshëm dhe të dëmshëm për shtetin.
“Është e papranueshme që në kohën kur qytetarët e Kosovës përballen me pasiguri, varfëri dhe kërcënime të jashtme, partitë politike, e posaçërisht partia fituese, të luajnë me fatin e shtetit vetëm për interesa të pushtetit.”
Në fund, organizata thekson se këto zhvillime i ka trajtuar me “shqetësim të thellë” në mbledhjen e saj të rregullt më 4 korrik 2025, duke i konsideruar si kërcënime për rendin demokratik, unitetin shtetëror dhe dinjitetin e luftës çlirimtare.