Arrestohet Naim Bazaj, ish-kryesues i Kuvendit Komunal në Drenas – dyshohet për detyrim dhe prezantim të rremë

Policia e Kosovës ka arrestuar ish-kryesuesin e Kuvendit Komunal në Drenas, Naim Bazaj, nën dyshimin për kryerjen e veprave penale “detyrim” dhe “prezantim të rremë”.
Sipas raportit 24-orësh të Policisë, arrestimi është kryer më 1 prill 2025, në orën 10:00, në Prishtinë. Gjatë kontrollit në shtëpinë e tij dhe objektet përcjellëse, janë sekuestruar shtatë armë zjarri, 290 fishekë, një telefon mobil si dhe një kontratë, që dyshohet të jetë e ndërlidhur me rastin.
“Me vendim të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje”, thuhet në njoftimin e policisë.
Bazaj, i cili së fundi kishte shprehur publikisht synimin për të kandiduar për kryetar të Komunës së Drenasit në emisionin “Frontal”, tashmë ndodhet përballë akuzave të rënda që mund të ndikojnë në angazhimet e tij politike.
Hetimet në lidhje me rastin janë duke vazhduar.