Kosova

Kriza institucionale në Kosovë thellohet: Secila parti e interpreton ndryshe aktgjykimin e Kushtetueses

Pavarësisht pritjeve të mëdha për një qartësim dhe zgjidhje të krizës institucionale, aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese për formimin e institucioneve në Kosovë ka sjellë më shumë paqartësi sesa zgjidhje. Në vend që t’i jepte fund ngërçit që zvarritet prej muajsh, ai ka nxitur edhe më tej përplasjet mes partive politike, të cilat tashmë po e interpretojnë vendimin në mënyra të ndryshme.

Sipas aktgjykimit, afati i fundit për konstituimin e Kuvendit është 26 korriku. Megjithatë, vendimi nuk përcakton qartë se çfarë pasojash do të ketë nëse ky afat nuk respektohet. Deri më tani janë mbajtur disa seanca që nuk kanë zgjatur më shumë se tre minuta, ndërsa partitë po akuzojnë njëra-tjetrën për bllokim të procesit.

Vullnet Bugaqku, hulumtues i lartë në Institutin Demokratik të Kosovës (KDI), vlerëson se zhbllokimi i situatës kërkon kompromis, sidomos nga Lëvizja Vetëvendosje (LVV), si partia fituese e zgjedhjeve të 9 shkurtit. Ai sugjeron që LVV-ja të tërheqë kandidaturën e Albulena Haxhiut për kryetare të Kuvendit dhe të propozojë një figurë më unifikuese, e pranueshme për spektrin politik.

Megjithatë, për LVV-në ky është një opsion i papranueshëm. Kryetari i partisë dhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka ofruar dy alternativa kompromisi: të votohet fshehtazi kandidatura e Haxhiut dhe, nëse nuk kalon, ajo të tërhiqet; ose të krijohet një komision për votim të fshehtë, me qëllim rrëzimin e saj. Por, sipas Bugaqkut, këto propozime bien ndesh me aktgjykimin, i cili nuk lejon ndryshim të rendit të ditës në seancën konstituive.

Ndërkohë, partitë e tjera të mëdha si PDK, LDK dhe AAK mbeten të palëkundura në kundërshtimin ndaj kandidaturës së Haxhiut dhe mënyrës së propozuar të votimit, të cilën e konsiderojnë jokushtetuese.

Një tjetër mundësi që përmendet nga ekspertët është një interpretim shtesë nga Gjykata Kushtetuese, me kërkesë të presidentes Vjosa Osmani ose partive politike. Precedentë të tillë ka pasur në të kaluarën, si në vitin 2010 për logon e Komunës së Prizrenit dhe më 2011 në rastin e presidentit Pacolli.

Politologu Dritëro Arifi kritikon presidenten Osmani për mungesë veprimi dhe e fton të kërkojë sqarime nga Gjykata për afatet dhe procedurat, për të shmangur shkuarjen drejt zgjedhjeve të jashtëzakonshme.

Ndërkohë, më 2 korrik, presidentja u takua me krerët e partive për të gjetur zgjidhje, por pa ndonjë rezultat konkret. PDK ka dorëzuar tashmë kërkesë në Kushtetuese për të shqyrtuar “shkeljet” në seancën konstituive.

Thirrje për tejkalimin e krizës kanë ardhur edhe nga shoqëria civile. Më 30 qershor, 52 organizata i bënë apel partive që ta konstituojnë Kuvendin, duke theksuar se bllokimi po e rrezikon rendin demokratik.

Përballë këtij ngërçi institucional, një zgjidhje ideale mbetet ende larg. Por ajo që është e qartë, është se pa kompromis dhe pa qartësi kushtetuese, rruga e Kosovës drejt stabilitetit politik mbetet e pasigurt.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button