KQZ shpjegon mënyrën e plotësimit të fletëvotimeve për zgjedhjet lokale më 12 tetor 2025

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka bërë publike udhëzimet për votuesit lidhur me mënyrën e plotësimit të fletëvotimeve në Zgjedhjet Lokale për Kryetarë të Komunave dhe për Kuvende Komunale, të cilat do të mbahen më 12 tetor 2025.
Në një video informuese të përgatitur nga zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, sqarohet se secili votues, pasi kalon procedurat e verifikimit, do të marrë dy fletëvotime: një për zgjedhjet për Kryetar Komune dhe një tjetër për Kuvendin Komunal.
Fletëvotimi për Kryetar Komune është me kornizë të verdhë dhe përmban emrat e kandidatëve dhe subjektet politike që ata përfaqësojnë. Votuesit duhet të votojnë vetëm një kandidat duke vendosur shenjën në katrorin pranë emrit të tij.
Ndërkaq, fletëvotimi për Kuvendin Komunal është me kornizë të kaltër. Në anën e majtë të tij votuesi duhet të zgjedhë vetëm një subjekt politik, ndërsa në anën e djathtë mund të votojë vetëm një kandidat për anëtar të Kuvendit Komunal nga lista e subjektit të zgjedhur.
KQZ ka sqaruar gjithashtu se votuesit nuk kanë nevojë të votojnë drejtpërdrejtë për bartësin e listës, pasi vota për subjektin politik llogaritet automatikisht edhe si votë për bartësin, i cili shënohet afër emrit të subjektit në fletëvotim.
Këto udhëzime vijnë për t’i ndihmuar votuesit që të ushtrojnë të drejtën e tyre të votës në mënyrë të drejtë dhe të qartë gjatë zgjedhjeve lokale të tetorit.