Kosova

Isa Mustafa kundër deklaratave të Kurtit për Thaçin dhe Veselin: “Nuk bëhet politikë me njerëz që luftuan për vendin”

Ish-kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ka reaguar ndaj deklaratave të kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, i cili mbrëmë në një intervistë ka akuzuar Partinë Demokratike të Kosovës për mungesë reformimi dhe për varësi nga dy ish-kryetarët e saj, Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli, që ndodhen në Hagë.

“Janë dy ish-kryetarët në Hagë, të cilët duhet t’i vizitojnë shpesh edhe për instruksione politike. PDK-ja nuk është reformuar”, deklaroi Kurti.

Mustafa, në një prononcim për Klan Kosova, tha se këto deklarata janë të papranueshme dhe të pakuptimta në kontekstin aktual politik.

“Nuk bëhet politikë me njerëz që luftuan për këtë vend e që janë në arrest qe pesë vite, arrest që më shumë po përngjanë në pengmarrje sesa në drejtësi”, u shpreh Mustafa.

Ai shtoi se e kupton “kompleksin e Kurtit ndaj Thaçit”, por se sipas tij, komentet e Kurtit vetëm i ndihmojnë atyre që duan ta barazojnë luftën e UÇK-së me krimet e regjimit të Millosheviqit.

“Nuk është Kurti mentor i reformimit të partive politike në Kosovë. Ai mund të flasë për mashtrimin, për luftën hibride me gënjeshtra ndaj kundërshtarëve politikë dhe për konceptin e ‘analfabetëve funksional’, të cilët po i ushqen me popullizëm dhe po e votojnë. Kjo është reforma e tij”, theksoi ndër të tjera Mustafa.

Deklaratat e Mustafës vijnë në një kohë kur vendi ndodhet në krizë institucionale pas dështimeve të njëpasnjëshme për konstituimin e Kuvendit.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button