Kosova

Krasniqi: Nervozizmi i Kurtit tregon frikën nga zgjedhjet dhe lirimi i ish-krerëve të UÇK-së

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka reaguar ndaj deklaratave të fundit të kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, duke i cilësuar si shprehje të “nervozizmit, frikës dhe krizës së shumëfishtë” që po përjeton lideri i Vetëvendosjes.

Sipas Krasniqit, Kurti është kryefajtori për bllokadën aktuale institucionale në Kuvend, pavarësisht se ka fituar 48 mandate në zgjedhjet e fundit.
“Është njeriu që ka fituar 48 mandate dhe s’është në gjendje me bë shumicën parlamentare. Është edhe në sytë e opinionit publik shkaktari dhe fajtori kryesor për krizën politike”, tha ai.

Lideri i PDK-së shtoi se Kurti po e pret me “tmerr” 12 tetorin, datën e zgjedhjeve lokale, duke qenë i vetëdijshëm se do të përballet me një humbje edhe më të thellë se ajo e katër viteve më parë.
“Jo vetëm që do ta mundim, por do ta plandosim në kuptimin elektoral, ma zi se sa që ia kemi bë para katër vjete”, u shpreh Krasniqi.

Ai gjithashtu komentoi deklaratat e Kurtit lidhur me ish-presidentin Hashim Thaçi dhe ish-kryetarin e Kuvendit Kadri Veseli, duke i quajtur “të dëmshme” dhe në funksion të prokurorisë.
“Me këtë deklaratë ai po vazhdon me qenë argat i prokurorisë… Kompleksi i tij ndaj UÇK-së është i njohur. Përndryshe si mund ta arsyetoni që kurrë në jetë s’ka shkuar as me i vizituar?”, theksoi Krasniqi.

Në fund, ai nënvizoi se frika e vërtetë e Kurtit qëndron edhe te mundësia e lirimit të afërt të ish-krerëve të UÇK-së:
“Ndoshta Kurti po ashtu tmerrohet nga fakti që shumë shpejt presim t’i kemi në mesin tonë çlirimtarët”, përfundoi Krasniqi.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button