OVL-UÇK reagon ashpër ndaj Kurtit: “Deklarata për Thaçin e Veselin, dëshmi e frikës nga drejtësia dhe sulm ndaj luftës çlirimtare”

Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së ka reaguar me tone të ashpra ndaj deklaratës së mbrëmshme të kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, për Hashim Thaçin dhe Kadri Veselin. Në një postim në Facebook, OVL-UÇK e cilëson deklaratën si të papërgjegjshme, politikisht të rrezikshme dhe dëshmi të frikës së Kurtit nga drejtësia dhe vlerat e luftës çlirimtare.
“Deklarata e Albin Kurtit për Thaçin e Veselin është një sulm i papërgjegjshëm dhe politikisht i rrezikshëm. Është e papranueshme që kreu i Lëvizjes Vetëvendosje të pretendojë se ish-krerët e UÇK-së po japin ‘instruksione politike nga burgu në Hagë’, në një kohë kur ndaj tyre është ngritur një aktakuzë e re”, thuhet në reagimin e OVL-UÇK-së, të cilit i janë bashkuar edhe SHIL dhe SHFD të UÇK-së.
Organizata akuzon Kurtin se me deklaratat e tij po ndihmon në përforcimin e një narrative që mund të dëmtojë ish-krerët e UÇK-së në procesin gjyqësor që po zhvillohet ndaj tyre në Hagë. Sipas tyre, kryeministri në detyrë nuk ka treguar asnjëherë interes për trajtimin dhe padrejtësitë ndaj ish-presidentit Thaçi dhe ish-kryeparlamentarit Veseli gjatë pesë viteve të paraburgimit të tyre.
“Kur nuk mund të ndihmosh, të paktën mos dëmto. Asnjë fjalë, asnjë vizitë, asnjë reagim për padrejtësitë që po u bëhen, ndonëse shumë personalitete ndërkombëtare janë shprehur në mbështetje të tyre. Zgjedh të heshtësh kur duhet të flasësh, dhe të sulmosh kur duhet të mbrosh”, thuhet në reagim.
Sipas OVL-UÇK-së, qëndrimi i Kurtit nuk është i rastësishëm dhe buron nga frika që Thaçi dhe Veseli mund të kthehen në Kosovë të pafajshëm dhe me dinjitet.
“Kjo frikë nuk është vetëm e jotja, por është e përbashkët me armiqtë më të mëdhenj të shqiptarëve dhe të së vërtetës sonë historike. Ne do të qëndrojmë në mbrojtje të luftës së drejtë të popullit tonë dhe nuk do të lejojmë që të përçmohet e vërteta historike e UÇK-së”, përfundon reagimi.