Mot shumë i nxehtë në Kosovë dhe rajon

Kosova dhe rajoni do të përfshihen nga një valë e fortë e të nxehtit gjatë ditëve në vijim, me mot stabil, me diell dhe temperatura të larta që do të shënojnë rritje të ndjeshme, paralajmëron MeteoBallkan.
Sot në Kosovë pritet të mbajë mot i kthjellët dhe shumë i nxehtë. Temperaturat minimale do të zbresin deri në 14–15°C, ndërsa ato maksimale do të arrijnë në 35°C, e në disa zona edhe 36°C.
Edhe në Shqipëri, Maqedoninë e Veriut, Luginën e Preshevës dhe Mal të Zi, moti do të jetë i ngjashëm: me diell dhe shumë i nxehtë, me temperatura që në zonat më të nxehta pritet të arrijnë deri në 37–38°C.
E premtja do të vijojë me mot të kthjellët dhe temperatura në rritje. Vapa do të bëhet edhe më përvëluese.
Ndërkaq, të shtunën dhe të dielën, ndërsa temperaturat mbeten të larta, pasditet mund të sjellin zhvillime të izoluara atmosferike, kryesisht në zona malore. Të shtunën priten rrebeshe të izoluara shiu me vetëtima dhe bubullimë në veri dhe veriperëndim të Kosovës, ndërsa të dielën këto priten të zhvendosen në juglindje të vendit.
Zhvillime të ngjashme priten edhe në viset kodrinore-malore të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, por vapa e fortë verore do të vazhdojë të dominojë.
Meteorologët këshillojnë kujdes ndaj ekspozimit të gjatë në diell, veçanërisht në orët e pikut dhe marrjen e masave për mbrojtje nga nxehtësia.