Kosova

Temperaturat e larta paralizojnë drejtësinë: Gjykata e Apelit redukton orarin e punës

Për shkak të temperaturave të larta dhe kushteve të papërshtatshme të punës në Pallatin e Drejtësisë, Gjykata e Apelit e Kosovës ka marrë vendim për reduktim të orarit të punës.

Në njoftimin zyrtar thuhet se Kryetari i kësaj gjykate, Valon Totaj, ka vendosur që gjyqtarët dhe stafi mbështetës të lirohen nga puna pas mesditës, në përpjekje për të mbrojtur shëndetin dhe mirëqenien e punonjësve.

Vendimi pason autorizimin e dhënë nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës më 27 qershor 2025, i cili u dha të drejtë kryetarëve të disa gjykatave që, në bazë të vlerësimit të kushteve klimatike në Pallatin e Drejtësisë, të vendosin për pezullim apo reduktim të punës.

“Masat do të rishikohen në vazhdimësi, varësisht nga kushtet klimatike dhe sanimi i problemeve me menaxhimin e Pallatit të Drejtësisë nga organet përgjegjëse,” thuhet në njoftim.

Kjo situatë vë në pah edhe një herë nevojën për përmirësimin e infrastrukturës dhe menaxhimit të Pallatit të Drejtësisë, në mënyrë që funksionimi i sistemit gjyqësor të mos pengohet nga faktorë të tillë elementarë si temperatura dhe ajrosja.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button