Koci: Kurti ka zbutur fjalorin, por shteti nuk mund të presë – Koha për veprim konkret

Avokati Arianit Koci ka komentuar deklaratat e fundit të kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, pas takimit me presidenten Vjosa Osmani, duke theksuar një ndryshim të qasjes nga ana e këtij të fundit.
Përmes një postimi në profilin e tij në “Facebook”, Koci ka vlerësuar se Kurti po promovon frymën e bashkëpunimit dhe unitetit politik, por ka theksuar se kjo qasje duhet të pasqyrohet edhe në veprime konkrete.
“Në postimin e fundit, Albin Kurti e kishte zbute fjalorin. Po e promovon frymën e bashkëpunimit dhe të unitetit… Kjo është për t’u përshëndetur. Aferim! Por, fjalët pa veprime – nuk e ndalin bllokadën,” ka shkruar Koci.
Ai ka bërë thirrje që të gjithë deputetët të rrisin presionin për funksionalizimin sa më të shpejtë të Kuvendit të Kosovës, duke theksuar se “shteti nuk mundet me pritë pafund”.
“Nëse ka vërtet vullnet për marrëveshje, atëherë ka ardhë koha me u vepru… Prandaj, nesër pres që së bashku me mua – të gjithë deputetët të protestojnë. Kjo nuk është betejë partiake. Është përgjegjësi ndaj shtetit dhe popullit,” ka përfunduar ai.