KQZ planifikon shtypjen e afro 5 milionë fletëvotimeve për zgjedhjet lokale të tetorit

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka miratuar specifikat për fletëvotimet që do të përdoren në zgjedhjet lokale të 12 tetorit 2025, duke planifikuar shtypjen e gjithsej 4 milionë e 850 mijë fletëvotimeve.
Sipas vendimit të marrë në mbledhjen e mbajtur të mërkurën, për raundin e parë të zgjedhjeve për Kryetarë të Komunave do të shtypen 1,800,000 fletëvotime. Në rast se nevojitet raund i dytë, janë paraparë edhe 1,250,000 fletëvotime shtesë. Ndërkohë, edhe për Kuvendet Komunale do të shtypen po aq – 1,800,000 fletëvotime.
Pavarësisht se numri i përgjithshëm i qytetarëve me të drejtë vote në këto zgjedhje është 2,075,868, KQZ ka vendosur që të shtypë një numër më të madh fletëvotimesh për të përmbushur nevojat logjistike të procesit zgjedhor dhe për çdo rast të papritur.
Zgjedhjet lokale të këtij viti pritet të mbahen më 12 tetor, ndërsa raundi i dytë për zgjedhjet e Kryetarëve të Komunave, nëse do të jetë i nevojshëm, do të zhvillohet dy javë më pas.