Qeveria në detyrë akuzon opozitën për bllokim të rrugës evropiane dhe humbje financiare për Kosovën

Qeveria në detyrë e Kosovës ka akuzuar ish-partitë opozitare për bllokim të funksionimit institucional dhe pengim të përfitimeve nga Plani i Rritjes i Bashkimit Evropian, duke theksuar se kjo situatë po shkakton dëm të madh financiar dhe politik për vendin.
Këshilltari i zëvendëskryeministrit në detyrë Besnik Bislimi, Klisman Kadiu, deklaroi për RTV21 se bllokada e Kuvendit nga opozita ka sjellë pasoja serioze. “Kosovën aktualisht po e penalizon bllokada e palogjikshme dhe e dëmshme që opozita po e bën. Qartazi kjo opozitë e ka braktisur interesin shtetëror dhe qytetar, duke e mbivendosur interesin partiak,” tha Kadiu.
Ai theksoi se bllokimi i konstituimit të Kuvendit dhe i proceseve si zgjedhja e kryetares së Kuvendit apo komisionit për votim të fshehtë, po pengon implementimin e reformave që lidhen me Planin e Rritjes. Si pasojë, sipas tij, po vonohet edhe marrja e mjeteve financiare nga BE dhe Banka Botërore.
“Vetëm nga vonesa në parafinancimin prej 7% nga Plani i Rritjes humbim rreth 61 milionë euro, përveç 90 milionëve të alokuara nga Banka Botërore që presin ratifikimin nga Kuvendi,” paralajmëroi Kadiu.
Ai siguroi se fondet nuk do të humben, por theksoi se vonesat janë të dëmshme për vendin dhe për aspiratat e qytetarëve drejt anëtarësimit në BE.
Ndërkohë, në Samitin e liderëve të Ballkanit Perëndimor dhe Bashkimit Evropian, komisionarja për zgjerim e BE-së, Marta Kos, deklaroi se BE-ja po pret formimin e institucioneve të reja në Kosovë për të ecur përpara me Planin e Rritjes. Pas Samitit, BE-ja përmes një komunikate zyrtare inkurajoi Kosovën të përshpejtojë procesin e miratimit të marrëveshjeve, në mënyrë që të zhbllokohet edhe pagesa e parafinancimit.
Qeveria ka ritheksuar thirrjen ndaj opozitës që të vendosë interesin shtetëror mbi atë partiak dhe të mundësojë rifunksionalizimin e institucioneve sa më parë.