Ministria e Mbrojtjes jep tender prej 2.3 milionë euro për pistën në Aeroportin e Gjakovës

Ministria e Mbrojtjes ka ndarë një kontratë në vlerë prej 2.3 milionë euro për ndërtimin e pistës dhe infrastrukturës përcjellëse në Aeroportin e Gjakovës. Sipas njoftimit të publikuar në platformën e-Prokurimi, fitues i këtij tenderi është shpallur grupi i kompanive “REA SH.P.K; Granit SH.P.K; CALL HOME ELECTRONICS SH.P.K”.
Në garë për këtë projekt kanë marrë pjesë katër kompani të ndryshme, por oferta fituese u përzgjodh nga grupi i lartpërmendur, ndërsa oferta më e lartë që ishte dorëzuar për këtë kontratë kapte shifrën prej 3 milionë e 584 mijë e 207 euro.
Ministria ka sqaruar se këto investime janë pjesë e përpjekjeve për të rritur operacionalitetin dhe efikasitetin e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) në përmbushjen e misionit të saj.
“Autoriteti Kontraktues i Ministrisë së Mbrojtjes ka për qëllim të lidhë një kontratë me një operator ekonomik që ka kapacitetin për të realizuar ndërtimin e pistës dhe infrastrukturës përcjellëse në AGJ-Gjakovë, sipas specifikimeve teknike të kërkuara dhe projektit të përfshirë në dosjen e tenderit”, thuhet në dokumentin e tenderit.
Ndërkohë, një grup tjetër kompanish që kishte paraqitur ofertë më të ulët është shpallur i papërgjegjshëm, për shkak të mospërmbushjes së kritereve të kërkuara në dokumentacionin e tenderit.