Takim në Presidencë: Anu Prattipati viziton presidenten Osmani

E ngarkuara me punë e ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Anu Prattipati, ka zhvilluar sot një takim në Presidencë me presidenten Vjosa Osmani.
Prattipati është parë duke hyrë në objektin e Presidencës e shoqëruar nga disa zyrtarë të tjerë të ambasadës amerikane. Takimi i saj vjen vetëm pak kohë pas atij që presidentja Osmani zhvilloi me kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, në kuadër të përpjekjeve për tejkalimin e krizës institucionale në Kuvendin e Kosovës.
Megjithatë vizita e diplomates amerikane nuk ka lidhje me tryezën politike të liderëve që Osmani ka ftuar. Detajet e takimit nuk janë bërë të ditura, por prania e saj në këtë moment politik delikat ka ngjallur vëmendje të veçantë.
Ambasada e SHBA-së ka qenë një aktor kyç në zhvillimet politike në Kosovë dhe shpesh ka luajtur rol ndërmjetësues apo këshillues në momente të ndjeshme politike.
Presidentja Osmani ka nisur konsultimet me liderët e partive politike parlamentare në përpjekje për të gjetur një zgjidhje për situatën në Kuvend, pas një periudhe të gjatë bllokade dhe mungese kuorumi për mbledhjen e seancave.