Kosova

Albin Kurti takohet me Vjosa Osmanin në Presidencë për të diskutuar zgjidhjen e ngërçit politik në Kuvend

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka mbërritur në Presidencë për një takim me presidenten Vjosa Osmani, në kuadër të përpjekjeve për zgjidhjen e ngërçit politik që po pengon konstituimin e Kuvendit të Kosovës.

Pas takimit me Kurtin, Osmani pritet të takohet me liderët e partive të tjera parlamentare, në një përpjekje të dytë për tejkalimin e bllokadës në Kuvend. Këto takime do të zhvillohen ndaras, ndryshe nga hera e kaluar më 15 maj, kur presidentja kishte pritur së bashku liderët e partive shqiptare dhe më pas ata të komuniteteve joshumicë.

Takimet pritet të zgjasin deri në orën 16:00 dhe janë konfirmuar nga të gjitha partitë pjesëmarrëse.

Përpjekjet e presidentes Osmani vijnë pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, e cila obligoi deputetët që brenda 30 ditësh të konstituojnë Kuvendin. Megjithatë, deri më tani nuk është arritur të përmbyllet procesi, pasi dje dështoi për të 40-ën herë konstituimi i Kuvendit.

Lëvizja Vetëvendosje insiston se vendimi i Kushtetueses u dha drejt në lidhje me hedhjen në votim të komisionit për votim të fshehtë, ndërsa partitë tjera argumentojnë se kryetari i Kuvendit duhet të zgjidhet me votim të hapur.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button