Zjarri përfshin një hapësirë fushore afër Kalasë së Kulinës në Kamenicë – lokalizohet pa dëme

Një zjarr ka përfshirë një hapësirë fushore pranë Kalasë së Kulinës në Kamenicë sot rreth orës 12:00.
Lajmin e ka konfirmuar për portalin rtv21.tv zëdhënësi i Policisë për rajonin e Gjilanit, Valon Osmani, i cili bëri të ditur se njësitë policore dhe ekipet e zjarrfikësve kanë reaguar menjëherë pas marrjes së informacionit.
“Ju njoftojmë se me datën 01.07.2025 rreth orës 12:00 kemi pranuar informacion për një zjarr tek vendi i quajtur ‘Kulina’. Njësitë policore relevante së bashku me ekipin e zjarrfikësve kanë dalë në vendin e ngjarjes ku ishte duke u djegur një hapësirë fushore. Zjarri nga ana e ekipës së zjarrfikësve është lokalizuar dhe sipas tyre nuk ka rrezik për përhapje apo dëme materiale,” tha Osmani.
Autoritetet nuk raportojnë për të lënduar apo për dëme në pronë, ndërsa shkaqet e zjarrit mbeten ende të panjohura.