Vuçiq tërhiqet në moment të fundit nga Samiti në Shkup – mungon arsyeja zyrtare

Në kryeqytetin e Maqedonisë së Veriut, në Shkup, po mbahet Samiti i liderëve të Ballkanit Perëndimor dhe Bashkimit Evropian, një ngjarje që pritet të luajë rol kyç në zhvillimet rajonale dhe rrugëtimin drejt integrimeve evropiane.
Në këtë takim po merr pjesë edhe kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti. Megjithatë, mungesa më e spikatur ishte ajo e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i cili ishte paraparë të marrë pjesë, por është tërhequr në moment të fundit.
Ende nuk dihen arsyet e kësaj tërheqjeje të papritur nga ana e Vuçiqit. Mediat raportojnë se nuk ka pasur asnjë sqarim publik apo pyetje zyrtare mbi mungesën e tij në këtë ngjarje të nivelit të lartë.
“Publikisht edhe mbi atë që u tha, nuk ka pasur as ndonjë pyetje, as ndonjë arsye se pse presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, nuk ka marrë pjesë në këtë samit”.
Samiti në Shkup vjen në një kohë të tensionuar për rajonin, me sfida të vazhdueshme në raportet Kosovë-Serbi dhe përpjekje të BE-së për të ruajtur stabilitetin dhe bashkëpunimin rajonal. Mungesa e Vuçiqit mund të interpretohet si një sinjal politik që pritet të nxjerrë reagime në ditët në vijim.