Kosova

Dyshohet helmim masiv në një qebaptore në Prishtinë – rreth 30 persona përfundojnë në Klinikën Infektive

Rreth 30 persona dyshohet se janë helmuar nga ushqimi në një qebaptore në lagjen Kodra e Trimave në Prishtinë. Të gjithë të prekurit janë dërguar për trajtim mjekësor në Klinikën Infektive të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), brenda një dite të vetme.

Sipas burimeve të Klan Kosova, pacientët kanë shfaqur simptoma të ngjashme të helmimit, si të vjella, diarre dhe dhimbje barku, të cilat mendohet se kanë ardhur pas konsumimit të ushqimit në lokalin e lartpërmendur.

Redaksia ka kontaktuar me ushtruesin e detyrës së drejtorit të Klinikës Infektive, Arben Vishaj, por ai nuk ka pranuar të japë detaje për rastin.

Megjithatë, inspektori sanitar në Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV), Blerim Lunji, e ka konfirmuar për Klan Kosova se janë në dijeni për rastin dhe se lokali është mbyllur menjëherë pas marrjes së informatës.

“Është mbyll lokali, janë marrë strishot edhe mostrat e ushqimit, dhe në momentin që dalin rezultatet, të hënën e kuptojmë nëse ka elemente helmimi”, ka deklaruar Lunji.

Rasti është raportuar edhe në Policinë e Kosovës, por deri më tani nuk ka ndonjë konfirmim zyrtar nga ky institucion. Klan Kosova ka dërguar pyetje edhe përmes email-it zyrtar të Policisë, por nuk ka marrë ende një përgjigje.

Po ashtu, është bërë përpjekje për të kontaktuar edhe me përfaqësues të lokalit ku dyshohet se ka ndodhur helmimi, por numri i kontaktit i publikuar në faqen e tyre në Facebook rezulton i paqasshëm.

Një ekip i televizionit ka qenë prezent në Klinikën Infektive për të marrë më shumë informacion, por askush nga stafi përgjegjës nuk ka pranuar të deklarohet për rastin.

Hetimet pritet të zbardhin në ditët në vijim nëse helmimi ka ndodhur si pasojë e mungesës së kushteve higjieno-sanitare apo ndonjë faktori tjetër.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button