
Në vend që të ishte një takim i përqendruar mbi sigurinë e Europës dhe sfidat gjeopolitike të kontinentit, Samiti i Komunitetit Politik Europian, i mbajtur në Tiranë më 16 maj, u kthye në një shfaqje ekzotike dhe të personalizuar të kryeministrit Edi Rama.
Nga animacionet ku liderët europianë u shfaqën si fëmijë të krijuar me Inteligjencë Artificiale, deri te momentet e papritura protokollare si përulja përpara kryeministres italiane Giorgia Meloni, Rama e shfrytëzoi skenën ndërkombëtare për një performancë që shkaktoi buzëqeshje të sikletshme në rreshtat e parë, por edhe habi dhe kritika në qarqet politike dhe publike.
Një “kllounadë” me faturë milionëshe
Fasada e ngjyrosur e eventit kushtoi së paku 5 milionë euro nga buxheti i shtetit shqiptar. Në një vend ku pensioni mesatar nuk i kalon 100 eurot dhe ku varfëria mbetet një sfidë madhore, qeveria shqiptare miratoi më 4 prill një fond shtesë prej rreth 4.6 miliardë lekësh të vjetra, ose 4.5 milionë euro, për organizimin e Samitit.
Pjesa më e madhe e këtij fondi, 3.5 milionë euro, kaloi në llogarinë e Drejtorisë së Shërbimeve Qeveritare, ndërsa pjesa tjetër iu nda Ministrisë së Brendshme dhe Gardës së Republikës për garantimin e sigurisë.
Në një afat të shkurtër dhe me procedura të gjitha “me negocim”, pra pa garë të hapur, u realizuan 25 tendera emergjentë, që përfshinin qira makinash, ndriçim, video, foní, LED-ekrane dhe dhurata protokollare. Disa nga shpenzimet më të spikatura përfshijnë:
2.3 milionë euro për kontenierë, të cilët nuk do të mbeten asete të qëndrueshme.
80 milionë lekë të vjetra për banera njëpërdorimësh, që përfunduan në landfillin e Sharrës.
70 milionë lekë të reja për makina me qira.
30 milionë lekë për dhurata protokollare.
100 mijë euro për ndriçim dhe LED-ekrane ku u shfaq animacioni me liderët europianë si fëmijë.
Mes dritave, flamurit të deformuar dhe mungesës së transparencës
Një tjetër moment që ka ngjallur debat është nënshkrimi nga liderët europianë i një flamuri të deformuar të BE-së, i cili, sipas kritikëve, ngjan me simbolin që Partia Socialiste përdori gjatë zgjedhjeve të 11 majit – zgjedhje që u zhvilluan mes akuzave për parregullsi dhe mungesë transparence.
Shfaqja politike, përtej efektit estetik, ngre pikëpyetje serioze mbi menaxhimin e fondeve publike, prioritetet e qeverisë dhe etiken në përfaqësimin institucional. Në një kohë kur vendi vuan nga problemet ekonomike, shëndetësore e sociale, përdorimi i miliona eurove për një event njëditor me karakter simbolik, shfaqet si provokim për qytetarët e thjeshtë.
“Nëse nuk më votojnë, s’ka problem…”
Në klimën post-zgjedhore, ku legjitimiteti i rezultatit është i kontestuar dhe institucionet kontrolluese përballen me kritika për anemi funksionale, kryeministri Rama duket se vijon kursin e tij të shpenzimeve të mëdha për imazh personal. Duke u mbështetur në kartën e fituesit, edhe pse të debatueshëm, ai e përdor pushtetin për të ndërtuar jo politika afatgjata, por spektakle afatshkurtra.
Samiti për sigurinë, Shqipëria për show-n
Ndërkohë që liderët europianë diskutonin për luftën në Ukrainë dhe përballjen me rreziqet që vijnë nga Lindja, Shqipëria ofroi një skenë ku drita, zhurma dhe simbolika politike eklipsuan qëllimin real të takimit.