Manipulim masiv në votat e diasporës shqiptare në Greqi: Raporte alarmante në favor të Partisë Socialiste

Që në hapjen e kutive të para, u konfirmuan dyshimet e Partisë Demokratike se procesi zgjedhor në Greqi kishte dalë jashtë kontrollit, ndërsa kutitë ishin mbushur nga patronazhistët e PS-së. Procesverbalet e votimit pasqyrojnë një disproporcion të thellë të votave, me raporte të njëanshme deri në 1 me 14 në favor të socialistëve, duke krijuar dyshime të forta për mbushje fiktive të kutive dhe deformim të vullnetit të emigrantëve.
Në një kuti që i përket Qarkut të Korçës, PS rezulton me 266 vota kundrejt vetëm 32 votave të PD-së, ndonëse në votimin brenda vendit, raporti ishte ndjeshëm më i balancuar – PD kishte fituar 34.57% të votave. E njëjta panoramë paraqitet edhe në Qarkun e Fierit, ku në një kuti PS merr 324 vota kundrejt 21 të PD-së, me një raport të pabesueshëm 1 me 12. Një tjetër kuti e këtij qarku shënon 269 vota për PS dhe vetëm 33 për PD.
Manipulimi shtrihet në të gjitha qarqet. Në Tiranë, PD ka marrë vetëm 42 dhe 43 vota në dy kuti të ndryshme, ndërsa PS 233 dhe 250 vota. Këto shifra janë në kontrast të plotë me rezultatin brenda vendit, ku PD kishte fituar 34.89% të votave në këtë qark. Në Berat, nga një tjetër procesverbal, PS ka marrë 371 vota përballë 28 të PD-së, një raport skandaloz 1 me 14.
Alarmin e manipulimit e rrit edhe një tjetër fakt: sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, në Qarkun e Tiranës janë numëruar 43,435 zarfe, ndërkohë që në kuti ishin vetëm 42,402 – një disproporcion që ngre dyshime të rënda për mbushje artificiale të votave.
Opozita denoncon se në shumë raste, fletët e votimit janë plotësuar nga e njëjta dorë, me kryqin e vendosur te numri 5 – Partia Socialiste – duke e bërë të qartë manipulimin e organizuar.
Gjithçka, sipas denoncimeve, nisi me një sinjal politik: një javë para zgjedhjeve, gjatë një fjalimi në Gjirokastër, kryeministri Edi Rama la të kuptohej se vota e diasporës do të ishte vendimtare. Menjëherë pas kësaj deklarate, Taulant Balla dhe grupet e patronazhimit udhëtuan drejt Greqisë. Nga data 5 deri më 11 maj, fluksi i zarfeve u rrit në mënyrë të dyshimtë, nga rreth 1,000 në ditë në mbi 6,000, duke përforcuar akuzat për manipulim.
Këto zhvillime kanë tronditur opinionin publik dhe kanë rritur presionin ndaj institucioneve për hetim të plotë dhe të pavarur të procesit zgjedhor. Opozita ka paralajmëruar protesta dhe kërkon pavlefshmërinë e votave të diasporës në Greqi, duke e cilësuar këtë si “krim elektoral të orkestruar nga qeveria”.
Zhvillimet mbeten të nxehta, ndërsa kriza politike pritet të thellohet në ditët në vijim.