93 gra fermere në Kosovë marrin mbështetje për të zhvilluar biznesin bujqësor

Në Kosovë, bujqësia mbetet burim kryesor i të ardhurave për familjet rurale. Falë granteve të Ministrisë gjermane për Bashkëpunim dhe Zhvillim (BMZ) përmes shoqatës “CARE”, 93 gra fermere kanë marrë mundësinë të zhvillojnë biznesin e tyre bujqësor.
Në fshatin Komogllavë të Ferizajt, Arbresha Beqiri kujdeset për 30 lopë qumështore dhe 10 viça, duke prodhuar rreth 450 litra qumësht në ditë, që më pas shkon në përpunim. Pas një përvoje migrimi në Slloveni, ajo dhe bashkëshorti vendosën të kthehen në fshat dhe me ndihmën e grantit blenë pajisje për fermën.
Në Bërnicë të Poshtme, Gjyla Thaçi dhe Makfire Avdiu kanë ndërtuar serra të mëdha, ku kultivojnë perime të freskëta dhe përmirësojnë rendimentin bujqësor. Gratë, shumë prej të cilave dikur ishin refugjate, tani udhëheqin sipërmarrje familjare dhe tregojnë se pavarësia ekonomike u ka ndryshuar jetën.
Projekti IWKA i BMZ ofron grante deri në 10 mijë euro dhe trajnime për sipërmarrje, duke synuar ndryshimin e mentalitetit dhe fuqizimin ekonomik të grave. Shumë prej tyre tashmë janë organizuar në shoqata lokale, për të frymëzuar të tjera gra që të hyjnë në biznes.
Një sfidë e madhe për këto gra ka qenë pronësia e tokës, pasi emri i tyre shpesh nuk figuronte në dokumente. Përmes ndihmës ligjore falas, shumë gra kanë mundur të zgjidhin këto pengesa dhe të investojnë me siguri në tokën e tyre.
Iliriana Gashi, drejtuese e shoqatës “Gratë për gratë”, thekson: “Kur një grua ka sukses, kjo shndërrohet në model për komunitetin dhe ndihmon të tjerat të besojnë në aftësitë e tyre.”