76% e qytetarëve besojnë se personat me ndikim politik nuk ndëshkohen nga ligji

Në një diskutim të organizuar nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) mbi temën “Performanca e sistemit gjyqësor dhe prokurorial dhe vlerësimi qytetar ndaj këtyre institucioneve”, u bë e ditur se shumica dërrmuese e qytetarëve në Kosovë vazhdojnë të besojnë se sistemi i drejtësisë mbetet i ndikuar politikisht.
Sipas të dhënave nga Indeksi i Performancës së Institucioneve të Sundimit të Ligjit në Kosovë 2025, 76 për qind e qytetarëve mendojnë se personat me ndikim politik kanë më pak gjasa të ndëshkohen nga ligji, ndërsa vetëm 22.7 për qind besojnë se ndëshkimi bëhet në bazë të dispozitave ligjore.
Koordinatorja e projektit të GLPS, Elona Kurti, tha se rezultatet tregojnë vazhdimësi të perceptimeve negative të viteve të kaluara.
“Zyrtarët dhe personat e lidhur me politikën vazhdojnë të kenë ndikim në veprimtarinë e sistemit të drejtësisë, duke bërë që të kenë më pak gjasa të ndëshkohen nga ligji”, u shpreh ajo.
Drejtoresha ekzekutive e GLPS, Njomza Arifi, theksoi se përgjegjësia për gjendjen aktuale nuk bie vetëm mbi sistemin e drejtësisë, por edhe mbi pushtetin ekzekutiv dhe legjislativ.
“Sistemi i drejtësisë vazhdon të jetë nën lupën kritike për mungesë ndëshkimesh, amnisti të profileve të larta, nivel të ulët të konfiskimit të pasurisë dhe zvarritje të procedurave gjyqësore”, tha ajo.
Në reagimin e tij, ushtruesi i detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Besim Kelmendi, tha se prokurorët nuk zgjidhen nga politika dhe se sistemi prokurorial po punon për më shumë transparencë. Ai megjithatë pranoi se konfiskimi i pasurisë së paligjshme mbetet sfidë.
“Ka vend për sekuestrim më të madh të pasurisë. Ligji për Byro duhet ndryshuar që të përfshijë të gjithë qytetarët, sepse ka shumë pasuri që nuk dihet nga vjen”, deklaroi Kelmendi.
Ndërsa zëvendësministri në detyrë i Drejtësisë, Vigan Qorrolli, u shpreh se drejtësia në Kosovë po tregon më shumë përgjegjësi se më parë.
“Për herë të parë drejtësia nuk po e shmang përgjegjësinë dhe po jep më shumë llogaridhënie. Ky raport është pasqyra më e drejtë e realitetit që qytetarët shohin”, tha ai.
Anëtari i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Fahret Vellija, pranoi se përkundër përmirësimit të efikasitetit, sistemi gjyqësor nuk ka arritur ta transmetojë punën e vet në publik.
“Përkundër progresit, perceptimi negativ mbetet i lartë. Kjo tregon se ne nuk kemi ditur të komunikojmë me qytetarët”, tha ai.
Nga Indeksi i GLPS thuhet se më shumë se gjysma e qytetarëve besojnë se vendimet gjyqësore ndikohen nga interesa private ose politike. Po ashtu, rreth 60% e të anketuarve mendojnë se vendimet nuk merren bazuar në fakte dhe ligj.
Anketa është realizuar në qershor 2025 nga UBO Consulting, me pjesëmarrjen e 1065 qytetarëve nga gjithë Kosova.



