Bota

10 mijë euro për të korruptuar prokurorë kosovarë: në Zvicër fillon gjyqi kundër dy shqiptarëve të lidhur me ISIS-in

Një proces gjyqësor i përmasave të mëdha për terrorizëm islamik do të nisë më 3 dhe 4 nëntor në Gjykatën Federale Penale të Bellinzonës, Zvicër. Të akuzuar janë dy shqiptarë nga Gjeneva, me prejardhje nga Kosova dhe Maqedonia e Veriut, të cilët dyshohen për mbështetje dhe financim të një grupi të lidhur me organizatën terroriste ISIS.

Sipas mediave zvicerane, përfshirë Albinfo.ch dhe Tamedia.ch, dy të akuzuarit ndodhen në burg prej tri vitesh në kantonin e Vaud dhe përballen me deri në dhjetë vjet heqje lirie. Hetimet, që konsiderohen ndër më të mëdhatë antiterroriste në Zvicrën frankofone, kanë zbuluar lidhje të tyre me një grup radikal të quajtur “Vëllezërit e Vitisë” në Kosovë dhe degën e tij në Gjenevë – “Vëllezërit e Gjenevës”.

Sipas aktakuzës, grupi ishte ideologjikisht i afërt me Shtetin Islamik dhe kishte tentuar të rekrutonte të rinj, madje edhe 14-vjeçarë. Dy të akuzuarit dyshohen se kanë sjellë në Zvicër disa imamë radikalë nga Ballkani, përfshirë Rexhep Memishin dhe Qëndrim Jasharin, të njohur për predikime ekstremiste.

Hetimet zbuluan se anëtarët e grupit kishin fshehur armë në Kosovë – katër kallashnikovë, një pistoletë dhe mbi 3 mijë fishekë – me qëllim marrjen e kontrollit të një zone për të krijuar një “Shtet Islamik sipas Sheriatit”.

Në një tjetër zbulim tronditës, prokuroria zvicerane ka gjetur se grupi ishte financuar përmes mashtrimeve me sigurime shoqërore dhe fonde të marra në mënyrë të paligjshme nga ndihmat sociale. Nga viti 2016 deri më 2022, dy të akuzuarit dyshohet se kanë transferuar nga Zvicra në Ballkan rreth 64 deri në 78 mijë euro.

Një pjesë e kësaj shume, rreth 10 mijë euro, sipas aktakuzës, është përdorur për të korruptuar prokurorë kosovarë me qëllim që dy anëtarë të grupit të ISIS-it të dënoheshin më lehtë pas kthimit nga fronti në Siri dhe Irak.

Dy të pandehurit akuzohen gjithashtu për mashtrime me ndihmat familjare, falsifikim aksidentesh dhe përfitim të paligjshëm të kredive COVID-19, duke dëmtuar shtetin zviceran me dhjetëra mijëra franga.

Nëse shpallen fajtorë, ata mund të detyrohen të kthejnë paratë e përfituara në mënyrë të paligjshme dhe të mbulojnë kostot e hetimit, që sipas Zyrës së Prokurorit Federal kapin vlerën e mbi 1.4 milion franga zvicerane.

Gjyqi i tyre pritet të jetë një ndër më të bujshmit në Zvicër lidhur me terrorizmin islamik dhe përfshirjen e qytetarëve nga Ballkani në strukturat e ISIS-it.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button