Kosova

48 zyrtarë policorë të suspenduar brenda 6 muajve, 18 të arrestuar

Brenda gjashtë muajve të parë të këtij viti, 48 zyrtarë policorë janë suspenduar nga detyra, ndërsa 18 të tjerë janë arrestuar për vepra të ndryshme penale, sipas të dhënave të Inspektoratit Policor të Kosovës (IPK). Gjatë kësaj periudhe, një zyrtar është transferuar.

Megjithatë, IPK nuk ka dhënë informacione se sa nga të suspenduarit janë kthyer sërish në vendet e tyre të punës, ndërsa as Policia e Kosovës nuk ka ofruar përgjigje rreth kësaj çështjeje.

Ditë më parë, në vendin e punës u kthyen dy zyrtarë policorë të suspenduar me rekomandim të IPK-së, pasi dyshohej se nuk kishin zbatuar urdhrin për arrestimin e të dyshuarit kryesor në rastin e vrasjes së rreshterit Muhamed Lika.

Avokati i togerit Jaser Jaha, njërit nga të kthyerit në detyrë, tha se klienti i tij pas hetimeve rezultoi i pafajshëm, ndërsa paralajmëroi padi për dëmtim imazhi.
“Ne e kemi konsideruar që nga fillimi një veprim më shumë politik sesa kompetencë e togerit, sepse ai vetëm shpërndan punët në mëngjes. Përgjegjësia për arrestimin e të dyshuarit nuk ka qenë në kompetencën e tij. Linçimi publik ka qenë evident, për shkak të komenteve që janë bërë ndaj tij dhe familjes së tij”, deklaroi avokati Ngadhnjim Rudi.

Rreshteri Muhamet Lika u vra më 1 prill të këtij viti në shkallët e ndërtesës ku jetonte. Për këtë rast janë arrestuar shtatë persona, gjashtë prej të cilëve ndodhen në paraburgim dhe njiheshin më herët nga organet e drejtësisë për të kaluar kriminale.

Ish-kryeshefi i IPK-së, Valdet Hoxha, tha se suspendimi i policëve, ndonëse i domosdoshëm për hetime të paanshme, ndikon negativisht në imazhin e policisë.
“Me suspendimin e policëve krijohet një perceptim dhe dëmtim i imazhit personal të tyre, por edhe i organizatës në tërësi. Megjithatë, këto hapa proceduralë janë të pashmangshëm për të siguruar një hetim transparent dhe të papenguar”, theksoi Hoxha.

Ndërkohë, gjatë javës së kaluar, një zyrtar policor në Vushtrri u arrestua nën dyshimet për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe armëmbajtje pa leje.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button