Kosova

26 korriku, afati i fundit për konstituimin e Kuvendit – Ambasadorët pritet të marrin pjesë në seancë

26 korriku është dita e fundit ligjore për konstituimin e Kuvendit të ri, sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese. Nesër pritet të mbahet për herë të 52-të vazhdimi i seancës konstituive, që mund të jetë edhe përpjekja e fundit për ta përmbyllur këtë proces brenda afatit të përcaktuar.

Në këtë seancë pritet të marrin pjesë edhe ambasadorë të huaj në vend, të cilët kanë bërë thirrje të vazhdueshme për dalje nga ngërçi institucional. Ambasada e Gjermanisë ka konfirmuar pjesëmarrjen e ambasadorit Rohde, së bashku me përfaqësues të tjerë ndërkombëtarë.

“Duke qenë se nesër është mundësia e fundit për të konstituuar Kuvendin para afatit të Gjykatës Kushtetuese, ambasadori Rohde, së bashku me kolegë të tjerë ndërkombëtarë, planifikon të marrë pjesë në seancën në parlament”, ka njoftuar ambasada gjermane.

Gjykata Kushtetuese, përmes një aktgjykimi të publikuar në qershor, ka obliguar deputetët që të konstituojnë Kuvendin brenda 30 ditëve nga mbledhja e parë. Por aktgjykimi nuk specifikon se cilat do të jenë pasojat nëse ky afat nuk respektohet.

Në mungesë të qartësisë ligjore, presidentja Vjosa Osmani i është drejtuar Kushtetueses me një kërkesë për sqarim mbi pasojat juridike në rast se Kuvendi nuk konstituohet deri më 26 korrik. Ajo gjithashtu ka kërkuar vendosjen e një mase të përkohshme për pezullim të afatit, me arsyetimin se një vonesë e tillë mund të shmangë krijimin e institucioneve në mënyrë potencialisht kundërkushtetuese.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button