25 vite zgjedhje në Kosovë: mbi 60 mijë kandidatë kanë garuar që nga viti 2000

Në Kosovë janë mbajtur dhjetëra procese zgjedhore që nga viti 2000, kur vendi i sapodalë nga lufta organizoi zgjedhjet e para për Kuvendet Komunale më 28 tetor, duke shënuar fillimin e ndërtimit të institucioneve demokratike.
Proceset zgjedhore ndahen në dy periudha kryesore historike: para dhe pas shpalljes së pavarësisë në vitin 2008. Që prej atëherë e deri në vitin 2025, janë zhvilluar 9 zgjedhje për Kuvendin e Kosovës (2001, 2004, 2007, 2010, 2014, 2017, 2019, 2021 dhe 2025), si dhe 8 për Kuvendet Komunale (2000, 2002, 2004, 2009, 2013, 2017, 2021 dhe 2025).
Zgjedhjet e drejtpërdrejta për kryetarë komunash nisën në vitin 2007 dhe deri tani janë mbajtur 6 procese të tilla (2007, 2009, 2013, 2017, 2021 dhe 2025).
Në një intervistë për Ekonomia Online, zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Valmir Elezi, ka bërë të ditur se gjatë këtyre 25 viteve janë certifikuar mbi 60 mijë kandidatë në 23 procese zgjedhore të nivelit qendror dhe lokal.
“Sipas statistikave, më shumë se 60 mijë persona kanë marrë pjesë në garat zgjedhore si kandidatë për deputetë, kryetarë komunash dhe anëtarë të kuvendeve komunale. Sigurisht, në këtë numër përfshihen edhe ata që kanë kandiduar më shumë se një herë”, tha Elezi.
Ai sqaroi se pjesa më e madhe e kandidatëve i takon zgjedhjeve për Kuvendet Komunale, për shkak të numrit të madh të ulëseve që varion nga 900 deri në 1,000.
“Nga ky numër i përgjithshëm, rreth 49 mijë kandidatë janë certifikuar për zgjedhjet komunale, mbi 10 mijë për Kuvendin e Kosovës, dhe mbi 1,200 për zgjedhjet e kryetarëve të komunave,” shtoi Elezi.
Ndërkohë, statistikat e KQZ-së tregojnë një pabarazi të madhe gjinore gjatë këtyre dy dekadave e gjysmë: mbi 41 mijë meshkuj dhe vetëm 19 mijë femra janë certifikuar si kandidatë në zgjedhje.
Vetëm për zgjedhjet lokale të vitit 2025, KQZ ka certifikuar gjithsej 5,624 kandidatë, nga të cilët 205 garojnë për kryetarë komunash (185 burra dhe 20 gra), ndërsa 5,419 për anëtarë të kuvendeve komunale (3,395 burra dhe 2,024 gra).
Këto të dhëna, sipas Elezit, dëshmojnë për përfshirjen e gjerë qytetare në proceset demokratike të Kosovës, por edhe për sfidën e vazhdueshme të përfaqësimit të barabartë gjinor në politikë.



