Lajme

21 Shtatori 2014: Kur Papa Françesku përqafoi shpirtin e popullit shqiptar

Sot përkujtohet një moment historik për Shqipërinë dhe popullin e saj: vizita e Papa Françeskut më 21 shtator 2014, një ngjarje që mbetet e pashlyeshme në kujtesën kombëtare. Ati i Shenjtë vizitoi vendin tonë për të përqafuar një popull të sprovuar nga dekadat e diktaturës komuniste, për të dhënë mesazhe paqeje, bashkëjetese fetare dhe shprese për të ardhmen.

Papa Bergoglio, i ndjekur me entuziazëm dhe dashuri të jashtëzakonshme nga të rinjtë shqiptarë, e nisi vizitën që nga aeroporti e deri te Presidenca, Katedralja e Shën Palit dhe Qendra Betania. Ai u mahnit nga mikpritja dhe forca shpirtërore e një populli që kishte mbijetuar persekutimin ateisto-komunist.

Në fjalimin e tij të parë zyrtar në pallatin presidencial, Papa theksoi: “Askush të mos e përdorë Zotin si mburojë për të kryer akte dhune. Askush të mos e përdorë fenë për vepra kundër dinjitetit të njeriut dhe të drejtave të tij.” Ai theksoi rëndësinë e bashkëjetesës dhe dialogut ndërfetar, duke e vlerësuar Shqipërinë si një shembull për botën.

Gjatë takimit me krerët fetarë, Papa Françesku theksoi: “Të vrasësh në emër të Zotit është sakrilegj i madh!” dhe shtoi se “sa më shumë të jemi në shërbim të të tjerëve, aq më shumë jemi të lirë!”

Ai u bëri thirrje të rinjve shqiptarë që të mos largohen, por të punojnë për atdheun e tyre, sepse siç tha ai, Shqipëria ka nevojë për të rinjtë për të ecur përpara drejt rrugës së demokracisë dhe zhvillimit.

Vizita e Papa Françeskut erdhi 21 vite pas asaj të Papës Gjon Pali II më 25 prill 1993, i cili rivendosi hierarkinë e Kishës katolike në Shqipëri pas viteve të errëta të shtypjes fetare.

Një ditë që shënoi ringjalljen shpirtërore të një populli dhe dha mesazhe që vazhdojnë të frymëzojnë edhe sot.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button