Kosova

170 mijë banesa të reja, por 178 mijë qytetarë më pak – Agron Demi kërkon moratorium në ndërtime

Kosova po përballet me një paradoks urbanistik: nga viti 2011 deri më sot janë shtuar rreth 170 mijë banesa, ndërsa numri i popullsisë është zvogëluar për 178 mijë, ka bërë të ditur Agron Demi, drejtor në Institutin Atlas.

Sipas Demit, përqindja e banesave të pabanuara është rritur ndjeshëm – nga 29% në 35.7% – dhe kjo, sipas tij, është një alarm që kërkon ndërhyrje të menjëhershme nga shteti.

“Shteti duhet të vendosë moratorium në ndërtime dhe të miratojë politika që i fusin në përdorim këto banesa të pabanuara, duke i bërë pjesë të ekonomisë,” theksoi Demi.

Ai nënvizoi se shtimi i ndërtimeve nuk është përcjellë me rritje të kërkesës reale, për shkak të zbrazjes demografike dhe emigrimit masiv.

Vendime pa legjitimitet?
Megjithatë, sipas Demit, shteti aktualisht nuk ka as bazë ligjore për të marrë vendime të tilla, duke ju referuar vendimit të fundit të Gjykatës Supreme, e cila konstatoi se ministrat që janë njëkohësisht deputetë nuk mund të nxjerrin akte nënligjore, pasi kjo përbën shkelje kushtetuese.

“Ky shtet tash nuk ka as të drejtë ligjore me marrë vendime, qashtu qysh vendosi dje Gjykata Supreme. E Kryeministri në detyrë pyetet se kujt po i ngutet me u kriju institucionet?”, deklaroi Demi.

Kjo situatë lë pezull jo vetëm vendimmarrjen për sektorin e ndërtimit, por edhe shumë procese të tjera të rëndësishme që lidhen me zhvillimin ekonomik dhe urban të vendit.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button