Kosova

15 vjet nga vendimi i GJND-së: Akademik Bajrami kritikon diplomacinë kosovare për mosshfrytëzim të fitore së madhe juridike

Sot shënohen 15 vjet që nga vendimi historik i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND) në Hagë, e cila më 22 korrik 2010 konfirmoi se shpallja e Pavarësisë së Kosovës nuk përbënte shkelje të së drejtës ndërkombëtare. Ky vendim u cilësua si një fitore e madhe për shtetësinë e Kosovës, por sipas akademikut Arsim Bajrami, ai nuk u shfrytëzua si duhet nga diplomacia vendore.

“Ky vendim ka qenë një fitore e madhe juridike e Kosovës. Pas këtij vendimi, është dashur që Kombet e Bashkuara në mënyrë universale ta pranojnë këtë qëndrim të GJND-së. Për shkak se gjykata konfirmoi se shpallja e pavarësisë nuk bie ndesh me asnjë akt ndërkombëtar, çështja e statusit të Kosovës është dashur të konsiderohej e përfunduar,” tha Bajrami për Radio Kosovën.

Megjithatë, përkundër rëndësisë së këtij vendimi, Bajrami thotë se përparimi i Kosovës në arenën ndërkombëtare u pengua nga vetoja e Rusisë dhe Kinës në Këshillin e Sigurimit të OKB-së. Si pasojë, në vitin 2011 nisi dialogu teknik Kosovë–Serbi, që sipas tij, vetëm sa ka zgjatur paqartësinë mbi statusin ndërkombëtar të Kosovës.

“Ky dialog nuk i ka dhënë fund konfliktit me Serbinë, përkundrazi, po e mban akoma pezull Kosovën”, shtoi ai.

Akademiku theksoi se diplomacia kosovare nuk u tregua aktive për të kapitalizuar këtë fitore ligjore në planin ndërkombëtar.

“Diplomacia kosovare nuk ka zhvilluar një ofensivë të fuqishme diplomatike për të bindur shtetet mosnjohëse që ta njohin shtetin e Kosovës. Një fitore e tillë, si ajo e GJND-së, do të ishte përdorur nga çdo shtet për afirmim ndërkombëtar”, deklaroi Bajrami.

Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë u thirr nga Kombet e Bashkuara për të dhënë opinion këshillëdhënës mbi ligjshmërinë e shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, pas ankesave të Serbisë. Vendimi i saj përfundimtar hodhi poshtë pretendimet serbe, duke konfirmuar legjitimitetin ndërkombëtar të pavarësisë së shpallur më 17 shkurt 2008.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Kontrolloni gjithashtu
Close
Back to top button