11 vjet nga droni shqiptar në Beograd

Më 14 tetor 2014, bota e futbollit ndaloi frymën kur në minutën e 42-të të ndeshjes Serbi–Shqipëri në Beograd, një dron me flamurin shqiptar zbriti mbi stadiumin “Partizani”. Ai flamur, me hartën e trojeve etnike shqiptare dhe portretet e Ismail Qemalit e Isa Boletinit, ndezi përleshje në fushë dhe në tribuna, duke e kthyer ndeshjen në një simbol politik dhe kombëtar që ende kujtohet sot.
Aso kohe, lojtarët shqiptarë u detyruan të braktisnin fushën nën dhunë, ndërsa UEFA e regjistroi fillimisht ndeshjen në favor të Serbisë. Por pas ankesës së Shqipërisë, Gjykata e Arbitrazhit Sportiv (CAS) më 10 korrik 2015 i dha 3 pikët kuqezinjve, duke e bërë atë një fitore historike edhe jashtë fushës.
Një vit më pas, nën hijen e tensioneve politike dhe arrestimit të Ismail Morinës, ndeshja e kthimit në “Elbasan Arena” përfundoi me rezultatin 0:2 për Serbinë, ndërsa Shqipëria do ta mbyllte ciklin me mrekullinë e Erevanit, ku fitoi 3:0 ndaj Armenisë dhe u kualifikua për herë të parë në Euro 2016.
11 vite më pas – historia shkruhet sërish në Leskovc
Më 11 tetor 2025, në stadiumin e qytetit serb të Leskovcit, Kombëtarja Shqiptare mposhti Serbinë me rezultatin 1:0, falë një goli të bukur të Rei Manajt në fund të pjesës së parë.
45 minutat e para u karakterizuan nga tensione në tribuna – thirrje fyese dhe antishqiptare nga tifozët vendas, ndërsa autoritetet nuk ndërhynë për t’i ndalur. As spikeri i stadiumit nuk kërkoi ndalimin e koreve, një shkelje që pritet të trajtohet nga FIFA me ndëshkim për Federatën Serbe.
Fitorja në Leskovc ka simbolikë të fortë historike: ajo erdhi pothuaj në të njëjtën javë kur, 11 vite më parë, ndodhi incidenti i dronit që tronditi futbollin evropian dhe i dha fillim një kapitulli të ri në historinë e Kombëtares Shqiptare.



