1 maji, Dita Ndërkombëtare e Punëtorëve – Simbol i luftës për të drejta dhe dinjitet në punë

Sot, më 1 Maj, në mbarë botën shënohet Dita Ndërkombëtare e Punëtorëve – një ditë që përkujton dhe nderon betejën historike të punëtorëve për të drejta, liri dhe kushte të denja pune. Kjo ditë është rezultat i një lëvizjeje të fuqishme që nisi më shumë se një shekull më parë, me kërkesa thelbësore si orari 8-orësh, paga të garantuara dhe mbrojtje në vendin e punës.
Kërkesa e parë publike për ndarjen e ditës në tri pjesë të barabarta – 8 orë punë, 8 orë dëfrim dhe 8 orë gjumë – u paraqit në Australi në vitin 1885. Megjithatë, kulmi i kësaj lëvizjeje u shënua më 1 maj 1886 në Çikago të SHBA-së, ku mijëra punëtorë marshuan në protesta të përgjithshme për të drejtat e tyre, duke përballuar dhunë dhe sakrifica të mëdha.
Një vit më vonë, më 1 maj 1887, në Çikago u mbajt manifestimi i parë masiv për të përkujtuar këtë luftë. Që atëherë, 1 Maji u përqafua nga miliona punëtorë në botë, i organizuar përmes sindikatave dhe partive që kanë në fokus përmirësimin e pozitës socio-ekonomike të klasës punëtore.
Në Evropë, Dita e Punëtorëve mori formë të organizuar përmes Internacionales së Parë në Gjenevë dhe më pas në Paris, në vitin 1890, kur Kongresi i Internacionales së Dytë e shpalli zyrtarisht 1 Majin si Ditën Ndërkombëtare të Punëtorëve. Vendimi u ripohua në Kongresin e tretë të Internacionales në Bruksel më 1891, ku u vendos që kjo ditë të kremtohet përherë në të gjitha vendet.
1 Maji mbetet një simbol i unitetit, rezistencës dhe kërkesës për drejtësi sociale – një ditë ku zëri i punëtorëve ngrihet për të kujtuar të kaluarën dhe për të kërkuar një të ardhme më të ndritur.