Zyrtare: Konfirmohet murtaja e ruminantëve të vegjël në një fermë në Landovicë – zona vendoset në karantinë

Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) ka konfirmuar praninë e sëmundjes Murtaja e ruminantëve të vegjël (PPR) në një fermë në fshatin Landovicë, Komuna e Prizrenit. Sipas njoftimit zyrtar, dyshimet e para për këtë sëmundje janë raportuar së fundmi, ndërsa mostrat e marra kanë rezultuar pozitive në laborator.
Ekipet e inspektorëve të mjekësisë veterinare janë aktivizuar menjëherë dhe kanë vendosur masën e kufizimit të lëvizjes në fermën e prekur. Mostrat e testuara në fermat përreth kanë rezultuar negative, ndërsa zona prej 3 kilometrash përreth fermës është shpallur vatër e infektuar dhe është vendosur nën karantinë të plotë.
“Në këtë zonë ndalohet çdo lëvizje e kafshëve, si dhe transporti apo qarkullimi i produkteve dhe nënprodukteve të tyre,” thuhet në njoftim. AUV ka bërë të ditur se në fermat përreth po zhvillohen hetime epidemiologjike për të identifikuar burimin e infeksionit dhe çdo kontakt të mundshëm me fermën e infektuar.
Gjithashtu, janë marrë masa të menjëhershme për biosiguri, përfshirë dezinfektimin e fermës dhe zonave përreth sipas protokolleve zyrtare veterinare.
Murtaja e ruminantëve të vegjël është një sëmundje virale shumë ngjitëse, që prek veçanërisht dhitë dhe delet, duke shkaktuar humbje të mëdha për fermat dhe industrinë blegtorale. Autoritetet apelojnë për bashkëpunim të plotë nga fermerët dhe komuniteti lokal, në mënyrë që të parandalohet përhapja e mëtejshme e sëmundjes.