Zug: Arrestohen tre punëtorë kosovarë pa leje pune e qëndrim të rregullt

Tre shtetas kosovarë janë arrestuar nga policia e Zugut gjatë një inspektimi në një kantier ndërtimi në Baar, pasi po punonin pa leje dhe qëndronin ilegalisht në Zvicër.
Ngjarja ka ndodhur më 4 shtator, kur zyrtarët e policisë kryen një kontroll të synuar kundër punës së paligjshme. Njëri prej punëtorëve tentoi të ikte sapo pa policinë, por u kap pak metra më larg, në një fushë misri. Më pas u arrestuan edhe dy të tjerët.
Të arrestuarit janë të moshës 24, 29 dhe 34 vjeç. Hetimet kanë konfirmuar se ata nuk kishin leje qëndrimi dhe pune. Prokuroria Publike e Zugut i ka dënuar me gjobë prej disa qindra frangash për shkelje të Ligjit për Shtetasit e Huaj dhe Integrimin, ndërsa 24-vjeçari është ndëshkuar shtesë edhe për pengim të një akti zyrtar.
Zyra e Migracionit ka urdhëruar dëbimin e tyre nga Zvicra. Për 24-vjeçarin është vendosur ndalim hyrjeje për dy vjet në Zvicër, ndërsa 29 dhe 34-vjeçarëve i është shqiptuar ndalim dyvjeçar hyrjeje si në Zvicër, ashtu edhe në hapësirën Shengen.