ZKA zbulon parregullsi në subvencionimin e librave shkollorë: mbi 60 mijë euro u dhanë pa kriter

Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, ka bërë të ditur sot se gjatë auditimit të pasqyrave financiare të Ministrisë së Arsimit për vitin 2024 janë evidentuar parregullsi serioze në procesin e subvencionimit të librave shkollorë.
Sipas saj, mbi 60 mijë euro janë shpërndarë për qytetarë që nuk i kanë plotësuar kriteret e përcaktuara. “Kjo ka ndodhur si pasojë e kontrolleve jo të mira nga Ministria e Arsimit në bashkëpunim me Agjencinë e Shoqërisë së Informacionit, e cila e ka zhvilluar këtë praktikë,” theksoi Spanca, duke shtuar se mbikëqyrja e dobët ka sjellë shpërndarje të padrejtë të subvencioneve.
Ajo bëri të ditur se janë evidentuar edhe aplikime në vlerë 70 mijë euro, për të cilat nuk ka qenë e mundur të identifikohet shkolla ku kanë aplikuar qytetarët.
Megjithatë, sipas saj, Ministria tashmë ka ndërmarrë hapa korrigjues për këtë vit shkollor, duke obliguar shkollat komunale që të verifikojnë paraprakisht nxënësit që vijojnë mësimin, për të shmangur parregullsitë e ngjashme.
Deklaratat e Spancës u bënë gjatë konferencës për media ku u prezantuan rezultatet e Raportit Vjetor të Auditimit për vitin 2024.