ZKA zbulon mangësi serioze në platformën e-Kosova, qytetarët rrezikohen nga pagesat dhe subvencionet e dyfishta

Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka konstatuar mangësi të konsiderueshme në kontrollet funksionale dhe teknike të platformës e-Kosova, duke rrezikuar saktësinë e të dhënave dhe integritetin e shërbimeve elektronike për qytetarët.
Auditimi i Teknologjisë së Informacionit mbi “Platformën e shërbimeve online e-Kosova” për periudhën 2024 – qershor 2025 ka përfshirë shërbimet “Shtesat për fëmijë”, “Tatimi në pronë”, “Subvencionimi i librave” dhe modulin e “Pagesave elektronike”.
Sipas ZKA-së, mungesa e ndërlidhjes së sistemeve ka lejuar përfitime të subvencioneve pa plotësuar kushtet e nevojshme dhe aplikime të dyfishta për shtesat e fëmijëve. Po ashtu, dobësitë në modulin e pagesave kanë mundësuar ekzekutime të dyfishta të pagesave, duke shkaktuar dëme financiare për qytetarët.
Agjencia e Shoqërisë së Informacionit, që menaxhon platformën, sipas auditimit, nuk ka vendosur standarde të mjaftueshme për menaxhimin e kontratave dhe nuk garanton mjedis të sigurt të informacionit për shkak të politikave të vjetruara dhe mungesës së tyre. Për më tepër, nuk ekziston një plan për rikthimin e shërbimeve në raste emergjente, duke rrezikuar vazhdimësinë e operacioneve elektronike shtetërore.
Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, ka theksuar se platforma ka shënuar përparim në digjitalizimin e shërbimeve publike, por sfidat mbeten në integrimin e sistemeve, sigurinë e informacionit, kontrollin dhe besueshmërinë e të dhënave, si dhe vazhdimësinë e biznesit.
ZKA ka dhënë 15 rekomandime për përmirësimin e kontrolleve, integrimit, digjitalizimit dhe sigurisë së platformës e-Kosova.



