Zbardhen detaje të reja nga vrasja në Lezhë – Dy autorë të maskuar qëlluan me breshëri ndaj 64-vjeçarit Gjovalin Prendi

Detaje të reja janë zbardhur nga vrasja e ndodhur mbrëmjen e djeshme në fshatin Pllanë të Lezhës, ku mbeti i vrarë 64-vjeçari Gjovalin Prendi. Autorët kanë lëvizur me një automjet fuoristradë të tipit “Porsche”, ndërsa dy prej tyre, të maskuar, kanë zbritur nga makina dhe kanë hapur zjarr në drejtim të viktimës.
Njëri nga autorët ka qëlluar me breshëri plumbash nga një distancë e afërt, duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme Prendit. Në momentin e atentatit, ai ndodhej në një tavolinë me një person tjetër, i cili ka shpëtuar pa lëndime.
Dyshohet se në këtë atentat kanë qenë të përfshirë katër persona. Deri tani, policia ka shoqëruar dhe marrë në pyetje mbi 10 persona në përpjekje për të identifikuar autorët dhe për të zbardhur motivet e ngjarjes.
Pista kryesore e hetimit është ajo e hakmarrjes. Viktima është babai i Roan Brahimit, një i ri që u vra në maj të vitit 2024 në Athinë të Greqisë, për të cilin dyshohet se ishte i përfshirë në disa ngjarje kriminale.
Policia po vijon hetimet intensive dhe pritet që në orët në vijim të ketë më shumë zhvillime në lidhje me identifikimin e autorëve.