Lajme

Xhelal Mziu reagon pas akuzave të policisë për dhunën ndaj zyrtarit të lokalitetit në Ostren të Bulqizës

Drejtuesi politik i Partisë Demokratike për qarkun e Dibrës, Xhelal Mziu, ka hedhur poshtë akuzat e policisë se bashkë me nipin e tij ka dhunuar një zyrtar lokal në Ostren të Bulqizës pas një takimi elektoral. Në një deklaratë publike, Mziu e cilësoi ngjarjen si një inskenim të organizuar nga përfaqësues të Partisë Socialiste dhe ka akuzuar strukturat shtetërore për intimidimin e qytetarëve dhe manipulimin e fakteve.

Mziu tha se në çdo takim elektoral që ai ka zhvilluar në Dibër, struktura lokale të Partisë Socialiste kanë intimiduar dhe kërcënuar qytetarët që të mos merrnin pjesë në takimet e opozitës. Ai theksoi se këto sjellje u intensifikuan më shumë në takimet e djeshme, duke përmendur rastin e takimit në Ostren, ku një punonjës i ndihmës ekonomike në Bashkinë e Bulqizës kishte intimiduar pjesëmarrësit, duke u kërcënuar për heqjen e ndihmës ekonomike.

Mziu sqaroi se pas shqetësimeve të ngritura nga banorët, ai ka komunikuar me punonjësin dhe e ka paralajmëruar për veprimet e tij të paligjshme, duke e kërcënuar se do të denoncohej në Prokurori. Sipas tij, pas kësaj, personi ka komunikuar me përfaqësues të Partisë Socialiste dhe kandidatin e kësaj force politike, duke konfirmuar se ngjarja ishte e inskenuar.

Një incident tjetër u shënua pas takimit, kur Jeton Dani, babai i kandidatit të Partisë Socialiste, së bashku me mbështetësit e tij, ushtruan dhunë ndaj kryetarit të Forumit të PD-së në Bulqizë. Kryetari i PD-së Bulqizë, avokat Shaqir Manjani, ndërhyri për të shuar konfliktin, por u godit pas shpine. Mziu ngriti dyshime se Policia e Dibrës mund të kishte qenë e përfshirë ose të paktën kishte pasur dijeni për ngjarjen, duke e akuzuar për manipulimin e informacionit dhe refuzimin për të marrë denoncimin nga PD.

Në përfundim, Mziu bëri thirrje për SPAK që të sekuestrojë pamjet filmike të zonës dhe të nisë hetimet për dhunën ndaj përfaqësuesve të PD-së. Ai u bëri thirrje gjithashtu punonjësve të bashkive dhe policisë që të ndalojnë intimidimin e qytetarëve dhe të respektojnë ligjin.

Mziu garantoi qytetarët e Dibrës se manipulimet dhe presionet politike të Partisë Socialiste dhe të policisë nuk do t’i trembin ata dhe Partinë Demokratike.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button